Aktivizmi mjedisor është mjet për cilësi më të mirë të jetës

shkruan Jelena Djokić

Prof. Dr.

Të gjithë njerëzit varen nga mjedisi për ekzistencën e tyre. Ai është i rëndësishëm që ne të gëzojmë në mënyrë të sigurtë e të plotë të gjitha të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat për jetën, shëndetin, ushqimin, ujin dhe kanalizimin.  Pa mjedis të sigurtë dhe të pastër, ne nuk mund të kemi jetë të plotë produktive dhe të arrijmë standarde minimale të jetesës. Ekziston një lidhje e qartë midis të drejtave të njeriut dhe mjedisit dhe ajo po njihet gjithnjë e më e shumë në botë. Kjo shihet në shumë deklarata, ligje ndërkombëtare e vendore, hulumtime e studime në mbarë botën. Shumë vende përfshijnë të drejtën për mjedis të shëndetshëm në kushtetutat e tyre. Ekziston një lidhje e qartë midis mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së mjedisit. Andaj, nëse hartuesit e ligjit e njohin rëndësinë e mjedisit, pse nuk kemi pra mjedis të sigurtë, të pastër dhe të shëndetshëm gjatë gjithë kohës?

Për çdo veprim ekziston një angazhim. Nuk mjafton të futen shprehje të komplikuara nëpër dokumente që ajri, uji dhe toka të jenë të pastra dhe biosfera të mbrohet. Ka shumë më shumë për të investuar: energjia, koha dhe përkushtimi ynë për të pasur një të ardhme të qëndrueshme. Për procesin e angazhimit të njerëzve në mbrojtjen e mjedisit, jo vetëm për qëllim të disa veprimeve ad hoc, por për lëvizje të vazhdueshme për një të ardhme të qëndrueshme, ne kemi nevojë për aktivizëm pozitiv. Janë disa veprime që duhen ndërmarrë në përputhje me aktivizmin pozitiv: të edukohen të tjerët, të protestohet, të zhvillohen sondazhe rreth kësaj çështjeje dhe të shpërndahen rezultatet, t’i shkruhet letër kompanisë që ndot, të bëhet fushatë e ndërgjegjësimit publik që përfshin rrjete sociale…

Në karrierën time, unë e kam bërë pjesën më të madhe të këtyre veprimeve. Madje i kam shkruar një letër kompanisë. Por në fund jam mbështetur për muri, pasi çështja nuk kuptohej siç duhej. Rezultatet e vëzhgimeve të mia më çuan te fillimi i listës: EDUKIMI. Jetën time ia kushtova edukimit, në veçanti edukimit mjedisor për të gjithë studentët, pavarësisht kombësisë, feja ose origjinës së tyre.

Në rajonin e Mitrovicës jetojmë në një qytet të ndarë me shumë çështje në të gjitha aspektet e jetës sonë. Është e vërtetë se flasim gjuhë të ndryshme dhe festojmë festa të ndryshme, por të gjithë thithim të njëjtin ajër, ecim në të njëjtën shtresë pluhuri në trotuare, hamë perime të mbjella në të njëjtën tokë në luginën e lumit, pimë të njëjtin ujë Ibri, me një fjalë –ndajmë të njëjtin mjedis. Ne mbajmë barrën e trashëgimisë industriale të Trepçës – Ndërmarrjes së Xehtarisë, Metalurgjisë dhe Industrisë Kimike që kishte përcaktuar jetën tonë në shekullin XX. Mbi supet tona ekziston edhe një trashëgimi tjetër: neglizhenca totale e mjedisit në epokën e socializmit dhe ndikimi shkatërrues i përdorimit joadekuat të tokës, planifikimit urban dhe infrastrukturës së pastër themelore. Të gjitha këto probleme kërkojnë veprime. Ka shumë punë për t’u bërë, dhe shumë të rinj që duhen frymëzuar.

Shansi më i mirë për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes kur bëhet fjalë për mjedisin është pjesëmarrja në debate dhe dëgjime publike për programet dhe projektet që do të realizohen në qytet. Komunat janë të detyruara të shpallin dëgjimet publike gjatë procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis. Dëgjimi publik është një veprim në procesin e pastrimit të mjedisit në të cilin palët e interesuara mund të ndërveprojnë drejtpërdrejt me autoritetet dhe investitorët në lidhje me shqetësimet për projektin e ardhshëm. Qytetarët mund të shprehin kundërshtime dhe mendime dhe të sugjerojnë ndryshime që të ndikojnë në procesin e vendimmarrjes. Nga dëgjimi publik mund të përfitojë të gjithë: kompanitë, komunat dhe komuniteti, ndërsa nëse ai shpërfillet kjo mund të çojë në konflikte dhe probleme kur vjen te zbatimi i projektit, pranueshmëria dhe qëndrueshmëria e tij.

Debati publik përdoret për të informuar qytetarët në lidhje me projektet që komuna planifikon të zbatojë dhe ato mund të kenë ndikim në mjedis. Në disa raste, qytetarët nuk janë të informuar, ata nuk janë të interesuar, duke mos marrë pjesë, dhe në fund, ata nuk bëjnë ndonjë pyetje ose vërejtje mbi projektin e propozuar, e megjithatë, kur bëhet fjalë për zbatimin e projektit, ata e shohin problemin dhe protestojnë. Në këto raste, njerëzit janë të bashkuar në protesta. Kemi pasur protesta rishtazi kundër mini hidrocentraleve, me pjesëmarrje të përbashkët të të gjitha komuniteteve. Por, për të qenë më efektivë, qytetarët duhet të veprojnë para se të merret vendimi. Pjesëmarrja publike në qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit është shumë e rëndësishme. Kjo theksohet në Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila u hartua duke përdorur pjesëmarrjen e madhe publike. Mbi 7.5 milionë njerëz nga mbi 190 vende morën pjesë në sondazhin global të Kombeve të Bashkuara mbi Agjendën 2030 (Fox and Stoett 2016). Nevoja për pjesëmarrje më të plotë dhe më gjithëpërfshirëse demokratike përfshihet në vetë Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG): Qëllimi 16 kërkon në mënyrë specifike “vendimmarrje të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse dhe përfaqësuese në të gjitha nivelet” (Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara 2015). Pjesëmarrja e publikut mund të përmirësojë edhe zbatimin e politikave duke rritur legjitimitetin e procesit të vendimmarrjes dhe, duke vepruar kështu, të zvogëlojë konfliktin.

Për t’u angazhuar, për të marrë pjesë, për t’u dëgjuar zëri i tyre, të rinjtë duhet të informohen dhe arsimohen për të njohur ndikimet e mundshme në mjedis dhe të organizohen për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndikuar në vendimet. Procesi i vendimmarrjes për miratimin e bizneseve, projekteve dhe programeve të zhvillimit dhe si të ndikohet në vendim si qytetarë dhe grupe mjedisore mësohet në kuadër të projektit Jean Monnet Erasmus + si Mbrojtja e natyrës dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis në BE.

Mjedisi i mësimit në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë ishte një shans për të mbuluar të gjitha komunitetet dhe për të filluar veprimet e përbashkëta të aktivizmit mjedisor. Studentët filluan të bashkëpunojnë në projektet studentore, të komunikojnë jashtë klasave dhe të ndajnë të njëjtat shqetësime dhe ide se si t’i sjellin çështjet e mjedisit te vëmendja e publikut. Qasja pedagogjike e aplikuar në mësimdhënien e menaxhimit të mjedisit përfshinte studimet e rasteve në botën reale. Të gjithë studentët: shqiptarë, serbë, boshnjakë, goranë, ashkali, romë, turq, dilnin jashtë klasës, duke bërë kërkime, hulumtime dhe duke u kthyer me zgjidhjet për problemet mjedisore. Projekti i parë i përbashkët që u bë së bashku nga të gjithë studentët, shqiptarë, serbë dhe të pakicave ishte një test për të parë nëse të rinjtë e interesuar në mjedis janë të gatshëm të punojnë së bashku, dhe për të kapërcyer problemet e mundshme në komunikim ose supozime të lidhura me etninë. Edhe pse studentët përdorin emër të ndryshëm për lumin që na takon të gjithëve: studentët shqiptarë e quajnë lumin Ibri, dhe studentët serbë Ibar, projekti studentor pati sukses dhe ata nuk u kushtuan shumë vëmendje toponimeve. Lumi është i ndotur nga ujërat e zeza që shkarkohen nga të dy anët. Kishte disa përpjekje për të hedhur fajin për ndotjen në njërën ose në anën tjetër të qytetit. Ishin bërë ca hulumtime për të përcaktuar se nga vijnë qeset plastike dhe mbeturinat e tjera që varen në degët përgjatë lumit. Rezultatet tregojnë se nuk mund t’i ndajmë mbeturinat në baza etnike, dhe as nuk mund t’i numërojmë ndotësit duke u bazuar në përkatësinë etnike. Andaj, të thuash se “ne” jemi miqësorë me mjedisin dhe ata të anës tjetër po e ndotin atë është thjesht e gabuar. Drejtimi, trajnimi dhe inkurajimi i studentëve të rinj për t’u përfshirë në aktivizëm mjedisor nuk është gjithmonë e lehtë. Në disa raste idetë e tyre përkthehen në projekte, në raste të tjera jo. Disa ndërmarrje pranuan gjetjet e tyre dhe premtuan të ndërmarrin disa hapa për të përmirësuar situatën, disa jo. Por ajo që ka rëndësi është uniteti, përkushtimi dhe idetë e panumërta të studentëve se si t’i bëjnë gjërat më mirë për brezin e tyre. Aktivizmi mjedisor është mjet për cilësi më të mirë të jetës, por edhe për të kuptuarit më të mirë dhe pajtimin në rajonin e Mitrovicës.

“Ky artikull është u mundësua nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) me mbështetjen e CDF-së në kuadër të Programit Human Rightivism. Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities and D&G Solutions dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA)”

Aktivizmi mjedisor është mjet për cilësi më të mirë të jetës

You May Also Like