Çka (nuk) mund të mësojmë nga njëri-tjetri?

 

Qerim Ondozi

Përkthyes

 

“Tjetri i nevojitet si dëshmi e identitetit të tij sepse veçantia e tij dëshmohet dhe artikulohet në raport me veçantinë e Tjetrit, përderisa në sistemin e konstruktuar në mënyrë dialektike Tjetri është vetëm në dukje Tjetri dhe në të vërtetë Unë i maskuar, gjegjësisht Tjetri brenda meje, duke qenë se në sistemin dialektik (dhe në mënyrën dialektike të të menduarit) faktet e ballafaquara janë në të vërtetë Një”.

Xhevad Karahasan, Shpërngulja

 

 Kush është tjetri në shoqërinë dhe në mjedisin në Kosovë? A është tjetri ai i cili është ndryshe nga unë në ndonjë aspekt kulturor, politik, shoqëror a fetar? A mos është tjetri secili që është ndryshe nga unë, apo secili që nuk është unë dhe nuk është i imi?

Mënyra se si ne e shohim tjetrin dhe si mësojmë nga tjetri tregon shumë për veten tonë. Historikisht shqiptarët dhe serbët por edhe shumë popuj tjerë, ca të gjallë, ca të asimiluar, ca të zhdukur, kanë jetuar në këto treva dhe e kanë ndarë të përbashkëtën e njëri-tjetrit. Aq gjatë kanë jetuar dhe bashkëjetuar me njëri-tjetrin, aq gjatë e kanë takuar njëri-tjetrin, aq shumë kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin, dhe po aq gjatë e kanë urrejtur njëri-tjetrin saqë në një pikë të caktuar – kohore e historike – bëhet shumë e vështirë (pse qenka e nevojshme?!) të bëhet dallimi mes asaj që është e imja, autentike, autoktone, dhe asaj që është e tjetrit, po ashtu autentike, autoktone.

Dhe kjo shpeshherë është shkaktari kryesor i mospajtimit, mosdurimit, konfliktit dhe luftrave. Çka është e imja dhe çka është e jotja? Çka më takon mua dhe çka të takon ty? Po nëse ekziston diçka e përbashkët – kujt i takon më shumë, mua apo ty?

  • Mua, thotë njëri – se unë këtu kam qenë më gjatë. Po, mirë, unë jo po stërgjyshërit e mi.
  • Mua, thotë tjetri – se unë këtu kam qenë edhe më gjatë. Më gjatë se ti, dhe për këtë kam dëshmi.

Kjo është fillesa e të gjitha konflikteve jo vetëm në mesin tonë, por edhe në mbarë botën sa herë që janë përplasur dy grupe (shpesh shumë të ngjashme) të cilat kanë pretenduar se janë të ndryshme në shumë aspekte, duke i ikur një të vërtete të madhe – se ngjashmëritë e tyre janë shumë, tejet më të mëdha se dallimet e tyre.

Por, edhe në pastë dallime, a nuk është tjetri pasqyrë e jona? A nuk na ndihmon tjetri që ta njohim veten më mirë? A nuk është tjetri një copë e jona? A nuk jemi të gjithë pjesë e një familijeje njerëzore, dhe a nuk duhet të mësojmë nga tjetri? Të mësojmë nga të mirat që tjetri i posedon dhe të zmbrapsemi nga diçka e keqe që tjetri e bën?

Por ne, për fat të keq, historikisht e kemi bërë të kundërtën dhe këtu do t’i japim disa shembuj.

Nëse qarqe të caktuara serbe, shkencore a pseudoshkencore, kanë pretenduar se shqiptarët janë popull ardhacak, se nuk janë autoktonë, se vinë nga Azia, disa ‘njohës’ shqiptarë e kanë bërë pothuajse të njëjtën gjë duke pretenduar se manastiret dhe kishat serbe faktikisht janë kisha ortodokse shqiptare, të cilat serbët i paskëshkan përvetësuar me kohë. Kemi mësuar si të mbrohemi duke përdorë armën e njëjtë – gënjeshtrën potenciale.

Nëse studijues gjuhësorë serbë e shqiptarë kanë dëshmuar se fjalë të caktuara shqipe janë të burimit serb[1], ose nëse kanë pretenduar që fjalë të caktuara (turke) janë serbe dhe pastaj shqiptarët i kanë huazuar ato, shqiptarët janë kundërpërgjigjur duke thënë se, nëse shkojmë shumë mbrapa, edhe fjalët latine e kanë origjinën nga pellazgishtja – kemi mësuar si të shtyhemi me njëri-tjetrin deri në pakufi.

Nëse qarqe të caktuara nacionaliste serbe thonë se Kosova është Serbi, se serbët janë popull qiellor, shqiptarët u përgjigjen këtyre nacionalizmave me po aq nacionalizëm. Nxjerrin harta me pretendime të qarta territoriale jashtë kufijve të tashëm të shteteve sovrane.

Dhe kështu, prapë shtyhemi se kush është më ‘i çmendur’. Dhe si ‘ata’ ashtu edhe ne futemi në një garë çmendurie për të dëshmuar se kush është më i çmendur se tjetri. Kush fiton në garën e çmendurisë. Dhe në këtë garë aspak nuk e vërejme se të gjithë ne po i përdorim veglat e njëjta, metodat e njëjta pa dashur të vijmë në një përfundim (shumë të dhimbshëm për fashistët, etnocentristët, ksenofobët, nacionalistët e të gjitha fronteve) se ne faktikisht jemi shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Aq të ngjashëm saqë na është dashur të ikim nga njëri-tjetri, të shpikim dallime, që të kemi arsye për mosdurim e për konflikte, për vrasje e dëbime…

A kemi mundur të mësojmë diçka të mirë nga njëri-tjetri? Sigurisht.

A kemi mundur të zbulojmë se kuzhina jonë është (pothuajse) e njëjtë? Se kemi receta të njëjta, se bëjmë pite, pasul e gullash, qebapa e krelanë njëjtë por në gjuhë të ndryshme?

A kemi mundur të shohim se fjalori ynë (i përbashkët) përmban me qindra fjalë të njëjta me burim osman, e gjuha, historikisht e ngulitur në identitet etnik, është pjesë e qenies së individit dhe popullit?

A kemi mundur të shohim se melosi, muzika jonë është aq e ngjashme saqë nëse luan me piano ndonjë melodi tradicionale shqiptare a ballkanase, pa filluar teksti nuk mund ta dish se këngë e cilës gjuhë është kjo?[2]

A kemi mundur të shohim se kemi veshje të ngjashme rurale, se kemi kapela të leshta, ndonëse me forma të ndryshme, se laramania e veshjeve është shumë e ngjashme në mbarë Ballkanin?

Po, kemi mundur t’i shohim të gjitha këto. Kemi mundur, dhe duke qenë optimist shpresoj që sërish do të mundemi, por ne kemi zgjedhur të shohim diçka tjetër. Kemi zgjedhur, dhe kur them ne, mendoj për të dy popujt, ta kthejmë urrejtjen me urrejtje, gënjeshtrën me gënjeshtër, poshtërimin me poshtërim, e kështu me radhë.

Duke takuar breza të rinj shqiptarë e serb besoj fuqishëm se një ditë do të fillojmë t’i shohim ngjashmëritë dhe të mësojmë nga të përbashkëtat e njëri tjetrit. Shqiptarët mund të fillojnë nga nderimi dhe respekti që tradicionalisht i kanë kushtuar mikut, e serbët mund të fillojnë nga fakti se fjala serbe për mikun dhe për tjetrin, është me të njëjtën rrënjë, është drug.

[1] Shih Anila Omari, Marrëdheniet gjuhësore shqiptaro-serbe, Botimet Albanologjike, Tiranë, 2012

[2] Shih filmin dokumentar të Adela Peevas, “Chia e tazi pesen?”

 

Ky botim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e botimit është përgjegjësi vetëm e REC – Reconciliation Empowering Communities dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Çka (nuk) mund të mësojmë nga njëri-tjetri?

You May Also Like