Guximi për t’u ballafaquar me të kaluarën
shkruan Jeta Krasniqi
Ballafaqimi me të kaluarën nuk është temë e lehtë. Shumë herë ta krijon ndjesinë sikur ecën mbi vezë duke u përpjekur të thyesh sa më pak që të jetë e mundur. Biseda shpesh është përcillet me emocione, rrëfime për mizoritë e kryera dhe ndjenjën e pakënaqësisë për drejtësinë e mohuar. Por ajo është gjithashtu bisedë shumë e politizuar, ndonjëherë edhe me ngjyrime nacionaliste.
Luftërat në ish-Jugosllavi përfunduan, por shoqëritë vazhdojnë të jetojnë brenda rrëfimeve të tyre. Kurrë nuk ka pasur kërkimfalje zyrtare. As nuk ka pasur pranim apo njohje të përgjegjësive për krimet e kryera. Ç’është e vërteta, pati disa përpjekje për të promovuar dhe për të nisur pajtimin në Kosovë por ballafaqimi me të kaluarën gjithmonë është parë si hapje e Kutisë së Pandorës për shkak të narrativave të ndryshme të cilat ende mbizotërojnë në shoqëritë tona.
Dallimet e mëdha këmbëngulëse të narrativave nga anët e ndryshme të bëjnë të dyshosh nëse kemi përjetuar të njëjtën luftë duke shtruar njëkohësisht pyetjen se cila është mënyra më e mirë për të nisur bisedën rreth së kaluarës. A duhet të jetë kjo një ndërmarrje e mbështetur nga shteti apo mund të jetë thjesht nismë shoqërore pavarësisht vullnetit të institucioneve të shtetit për të marrë pjesë?
Janë bërë përpjekje për krijimin e mekanizmave rajonalë që do të adresonin çështjen e ballafaqimit me të kaluarën, si KOMRA, komisioni rajonal për vërtetimin e fakteve në lidhje me krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001. Kjo iniciativë ishte në gjendje të fitonte mbështetje nga qytetarët nga i gjithë rajoni, por mungesa e vullnetit politik tregoi kufijtë e saj.
Në anën tjetër, ka pasur një iniciativë të brendshme në Kosovë të ndërmarrë nga ish-Presidenti Hashim Thaçi për të krijuar një Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit (KRR) të Kosovës me synimin kryesor të pajtimit të komuniteteve brenda Kosovës. Ekipi përgatitor i ekspertëve investoi shumë përpjekje për të përcaktuar mandatin e KKR-së së Kosovës por çështja mbetet se deri në ç’masë mund të promovojë Kosova pajtimin e brendshëm kur nuk ka vullnet politik nga ana tjetër, përkatësisht Serbia, për t’iu bashkuar bisedës – si protagonisti kryesor i luftës së Kosovës.
Për më tepër, gjykatat ndërkombëtare dhe ato kombëtare që kanë të drejtë të merren me krime të lidhura me luftën, kanë bërë pak për të promovuar pajtimin, për të adresuar trajtimin e nocionit të së kaluarës ose madje për t’u ofruar ndjenjë të drejtësisë viktimave dhe më të dashurve të tyre. Kjo për shkak të disa arsyeve që lidhen edhe me mungesën e vullnetit për të përndjekur autorët dhe mungesën e çështjeve të paraqitura para drejtësisë.
Sidoqoftë, mungesa e vullnetit politik nuk i shfajëson organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e të rinjve për gjetjen e rrugëve për iniciativa dhe hapa të guximshëm për adresimin e temës sfiduese të ballafaqimit me të kaluarën. Ata kanë përgjegjësi për të marrë rrugën e vështirë drejt gjetjes së të vërtetës. Kur nuk ka vullnet nga shteti, presioni duhet të vijë nga shoqëria.
Ka disa vjet që u ligjëroj feministeve të reja pjesëmarrëse në Shkollën Pranverore Feministe për Kosovën dhe Serbinë të organizuar nga Artpolis dhe ACD. Unë u mbaj ligjërata mbi temën e ballafaqimit me të kaluarën dhe dhunën seksuale të lidhur me konfliktet. Vajzat janë nga Kosova dhe Serbia dhe ndërsa kalojnë kohë së bashku për të njohur njëra-tjetrën, ato bëhen bashkë për të krijuar një vizion të përbashkët për lëvizjen feministe në Kosovë dhe Serbi.
Ndërsa filloj bisedën për dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte në luftërat e ish-Jugosllavisë, duke ofruar shifra dhe fakte nga vende të ndryshme, ndiej se ajri në dhomë po ndryshon. Me to ndaj rrëfime të grave të mbijetuara që unë kam takuar si dhe gra të mbijetuara të cilat kanë dëshmuar para ICTY-së për abuzimet seksuale të cilave iu nënshtruan. Shoh lotët që u mbushin sytë ndërsa vazhdoj të flas për pasojat e shumëfishta që duhet të kalojnë të mbijetuarat e dhunës seksuale, të ballafaquar jo vetëm me krimet e tmerrshme çnjerëzore por edhe me paragjykimet shoqërore dhe mungesën e mbështetjes së duhur.
Me to ndaj Kornizën Konceptuale për Ballafaqimin me të Kaluarën e cila u zhvillua nga swisspeace dhe Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës. Korniza bazohet në grupin e parimeve të rekomanduara nga Raportuesi Special i KB-së Louis Joinet dhe miratuar nga Komisioni i KB për të Drejtat e Njeriut në vitin 1994.
Parimet përqendrohen në katër shtylla ose fusha: e drejta për të ditur, e drejta për drejtësi, e drejta për dëmshpërblime dhe garantimi i bisedës jopërsëritëse në lidhje me një qasje holistike të ballafaqimit me të kaluarën, duke e konsideruar DwP-në proces afatgjatë që synon të krijojë një kulturë të përgjegjësisë, sundimit të ligjit dhe pajtimit.
Ndërsa një herë më pyetën kur i njoha me këtë kornizë, u kërkova të zgjedhin vetëm njërën nga fushat duke parë se të gjitha fushat ndikojnë dhe varen nga njëra-tjetra. Gjithmonë e vështirë të zgjedhësh vetëm një. Meqenëse është e drejta e viktimave, anëtarët e familjes së tyre të duhet të dinë se çka ka ndodhur me të dashurit e tyre. Të kesh kujtesë, mirënjohje, falje, njohje për mizoritë të cilave iu nënshtruan, të kesh drejtësi dhe siguri se ajo që u ndodhi atyre nuk do të përsëritet më.
Viktimat kanë emra, ashtu si autorët. U kërkoj feministeve të reja nga Kosova dhe Serbia të mos i shohin krimet përmes prizmit të përkatësisë së tyre etnike ose përkatësisë politike por përmes spektrit të shkeljeve të të drejtave të njeriut të cilat duhet të dënohen dhe për të cilat duhet të merret përgjegjësia.
Ndërsa diskutoj me to, ne duhet të përkrahim të drejtën e viktimave për drejtësi, të drejtën e tyre për të vërtetën, të drejtën e tyre për dëmshpërblim dhe garancitë e mospërsëritjes. Unë them se ne duhet të përkrahim dënimin e mizorive të kryera pa marrë parasysh se kush i ka kryer ato.
Ballafaqimi me të kaluarën është ana tjetër e së njëjtës medalje të paqes dhe pajtimit të qëndrueshëm. Besoj se të rinjtë nuk duhet të mbajnë mbi supe barrën e së kaluarës. Barrën që i ndan dhe i projekton si kundërshtarë. Përndryshe, duhet bërë shumë përpjekje për t’i fuqizuar ata për promovimin e pajtimit, për ndërtimin e urave midis shoqërive dhe komuniteteve të shkatërruara nga lufta. Shoqëria civile përtej kufijve ka rol thelbësor për të promovuar jo vetëm pajtimin, por edhe për të nxitur vullnetin politik i cili është shumë i nevojshëm për të adresuar si duhet ballafaqimin me të kaluarën dhe për të marrë përgjegjësi për krimet e kryera.
“Ky artikull është mundësuar me mbështetjen e YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities and D&G Solutions dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së SHBA-së apo Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)”