Historia e një kujtese të humbur

Shenaj Belegu
Aktiviste e shoqërisë civile
Historia ime personale është e pandashme nga ajo e ngjarjeve që rikrijuan Kosovën dhe Ballkanin në vitet e 90-ta. Pamundësia për t’u larguar nga rrethanat e fëmijërisë është një realitet i ashpër, dhe si një fëmijë i po atyre viteve, jeta ime e hershme u formua në nji hapësirë të dhunshme, pasiguri politike dhe ndarje të thella etnike dhe sociale. Sot, si hulumtuese që punën më të dashur e ka hulumtimin dhe çështjen e personave të zhdukur të asaj kohe, vëzhgoj proceset që vazhdojnë të marrin vend në komunitet lidhur me ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë, si pike kyçe dhe e pashmangshme për rimëkëmbjen personale dhe atë kombëtare.
Në një kuptim akademik, ideja e “ballafaqimit me të kaluarën” aplikohet anë e kënd jo vetëm si kuadro ligjore e krijuar nga institucione ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICTY) dhe komisionet lokale të të vërtetës, etj. Por, ajo është një investim në angazhimin e vazhdueshëm përbri aspekteve historike, psikologjike dhe socio-politike të traumës, kujtesës dhe vet drejtësisë.
Veçoritë e situatës pas konfliktit në Kosovë, të shënuara nga ndarjet, konfliktet për llogaritë historike dhe konkurrenca e endemisë etnike, kontribuojnë në faktin që ky kontekst të jetë i orientuar nga proceset dhe shumë i kontestuar në të njëjtën kohë. Çështja e personave të zhdukur është treguese e vështirësisë më të thellë për t’u përballur me të kaluarën e Kosovës. Zhdukja e dhunshme e individëve është një tragjedi tejet personale për familjet e tyre; një pjesë e humbur e historisë së kësaj periudhe e mbushur me mëdyshje dhe përplot hamendësime. Nga perspektiva ime, kjo mungesë tregon pasigurinë e metodologjive tradicionale historike dhe kuadrove ligjore në lidhje me adresimin e përvojave të jetuara të atyre që janë prekur nga konflikti.
Kërkimi për të gjetur të zhdukurit nuk është thjesht një hetim forenzik apo proces ligjor, por është ngushtë i lidhur me kërkimin më të gjerë për të vërtetën dhe drejtësinë.
Personat e përfshirë në krime gjatë konfliktit shpesh disponojnë informacione të rëndësishme për vendndodhjen e varrezave masive ku janë të varrosura mbetjet mortore të personave të zhdukur, por ata qëllimisht i mbajnë të fshehta këto informacione. Kjo heshtje, e udhëhequr nga frika, faji ose dëshira për të mbrojtur veten ose grupet e tyre, vazhdon vuajtjen e familjeve që kërkojnë përgjigje. Duke fshehur të vërtetën, ata pengojnë procesin e shërimit dhe vonojnë drejtësinë për viktimat dhe të dashurit e tyre.
Çështja e personave të zhdukur mbetet në një status të papërfunduar që thekson hendekun midis proceseve të drejtësisë zyrtare dhe përvojës së jetuar të njerëzve në situate pas përfundimit të konfliktit. Kur varrezat masive apo vende ku janë varrosur mbetjet mortore të të pagjeturve zbulohen, përplasja mes kujtesës personale dhe asaj kolektive mund dhe shpesh kontestohet, veçanërisht në vende si Mitrovica e Veriut, ku ndarjet etnike, politike dhe sociale janë ende të thella. Mungesa e ndërveprimit mes komuniteteve, ruajtja dhe ushqyerja me hiperbolizma e e narrativave të ndryshme dhe politizimi i vazhdueshëm i historisë e bën më të vështirë arritjen e pajtimit të vërtetë, e qenësor.
Në vend që të promovojnë dialogun, liderët politikë dhe elitat lokale kanë tendencë të keqinterpretojnë narrativat historike për të forcuar ndarjet ndërmjet. Për shumicën në këtë vend, e kaluara është ende një çështje qe vie si barrë nga e kaluara politike, dhe ballafaqimi i saj në mënyrë të hapur dhe të paanshme është një propozim i frikshëm, për të dy palët. Dallimet në faktet mes konfliktit (madje edhe në konceptet dhe termet që i përcaktojnë); mosbesimi mes komuniteteve kufizon mundësitë e një vizioni të përbashkët për të ardhmen.
Duke shërbyer në hulumtimin e çështjeve të personave të zhdukur, kam kuptuar se përballimi i të kaluarës kërkon më shumë se metodologji akademike. Tani, që proceset ligjore—si puna e gjykatave për krimet e kryera gjatë asaj kohe dhe puna e Dhomave Speciale të Kosovës (KSC)—janë të rëndësishme për realizimin e drejtësisë, ato në fakt përfaqësojnë vetëm një aspekt të përpjekjes më të madhe për tu përballur me të kaluarën. Kërkimi për të zhdukurit—dhe vet të zhdukurit, ata që fati i tyre mbetet ende i panjohur—janë dëshmi e dështimit të thellë të dinjitetit dhe drejtësisë. Çështja e drejtësisë tranzicionale që është e bazuar në studimet akademike prioritizon rrëfimin e të vërtetës dhe dëmshpërblimet, por, siç sugjeron ‘kapitulli i mëparshëm’, është gjithashtu e interesuar të dëgjojë se çfarë ka për të thënë dhe vet heshtja.
Kërkimi i vazhdueshëm i zbardhjes së fatit për personat e zhdukur në Kosovë nuk është thjesht një akt politik; është njohje dhe një përpjekje për të rikthyer humanitetin e atyre që janë ‘fshirë’ nga dhuna dhe për t’i rikthyer ata në kujtesën kolektive të kombeve. Ekziston një konsensus në rritje në literaturën akademike për shoqëritë e pas konfliktit për nevojën për të marrë parasysh aspektet psikologjike të traumës në proceset e drejtësisë dhe pajtimit. Në Kosovë, trauma e pasigurisë—familjet të lëna me pyetje të vazhdueshme dhe hamendësime e mëdyshje shtoja kësaj edhe dhimbjen që nuk ka ilaç për të—ka pasoja që ndikojnë përmes brezave për transmetimin dhe shtrirjen e traumës ndër-gjenerata. Pasojat afatgjata, nëse kjo dhimbje mbetet pa u trajtuar, mund të jetë një pengesë për kohezionin social dhe zhvillimin e shëndoshë të shoqërisë.
Procesi i “ballafaqimit me të kaluarën” në Kosovë duhet gjithashtu të vihet në një kuadër më të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar. Pavarësisht se aspektet ligjore dhe politike të rimëkëmbjes pas konfliktit kanë tërhequr vëmendje të madhe, është e rëndësishme të kujtojmë se trashëgimia e viteve 1990 shtrihet përtej rastit të Kosovës. Më shumë rajone të Ballkanit janë ende të prekura thellë nga konfliktet e fundit, ankesat dhe ndarjet, të cilat formojnë thellë edhe identitetin kombëtar. Sfida e Kosovës nuk është vetëm të barazojë llogaritë me të kaluarën e saj, por gjithashtu të angazhohet në një proces më të gjerë rajonal të pajtimit historik.
Kërkimi për të zhdukurit është një shenjë e përpjekjes më të gjerë për drejtësinë, paqen dhe mirëqnien në Kosovë. Ky vend mund të krijojë bazë mbi të cilën mund të lind një e ardhme e bazuar në njohjen e ndërsjellë, empatinë dhe solidaritetin, si normë që gjithmonë kanë ekzistuar në zemrat e njerëzve të saj, dhe që, në një moment ose tjetër, do të sjellin dritë mu sikur xixëllonja për t’u treguar atyre rrugën se nga të kthehen dhe të (ri)shndërrohen në vlera të ndërsjella.
Ky botim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimi Evropian. Përmbajtja e botimit është përgjegjësi vetëm e REC – Reconciliation Empowering Communities dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimi Evropian.