Iniciativat joqeveritare si nxitje e mekanizmave institucional në kërkim të zbardhjes të së vërtetës
shkruan Florentina Hajdari Hajra
Kandidate për doktoraturë në Qeverisje dhe administratë publikeNë vazhdën e traumës, konfliktit dhe antagonizmit, kujtesa kolektive mund luajë një rol të rëndësishëm në ‘procesin e shërimit’ në nivel kombëtar. Ballafaqimi me të kaluarën mund të jetë thelbësor për të kuptuar rrënjën dhe shkaqet e konfliktit dhe parandalimin e përsëritjes së historisë në të ardhmen. Kujtesa kolektive mund të nxisë llogaridhënien, përgjegjësinë dhe kërkim-faljen. Kujtesa e injoruar gjithashtu mund çojë në dhimbje, ri-traumatizëm, një ri-zgjim të konfliktit dhe antagonizmit.
Për më tepër, lidhja midis kujtesës kolektive, të së vërtetës dhe pajtimit nuk duhet të merren gjithmonë si të mirëqena. Duhet të bëhen më shumë kërkime në këtë fushë. Sidoqoftë, heshtja dhe amnezia kolektive kryesisht janë refuzuar midis ndërmjetësuesve ndërkombëtarë si përgjigje joefektive në një mjedis të pas konfliktit. Kjo dëshmohet nga krijimi e komisionit të së vërtetës pothuajse në të gjitha shoqëritë post konfliktuoze, i cili tani konsiderohet si një përbërës standard i zgjidhjes së konfliktit. Por, në të gjitha këto shoqëri, krijimeve të komisioneve të tilla i kanë paraprirë iniciativat e ndërmarra nga shoqëria civile, si iniciativa jashtë institucionale që kanë nxitur më pas reagimin institucional.
Sektori joqeveritar në Kosovë që nga paslufta ka pasur dhe vazhdon të ketë rol pro aktiv në kërkim të së vërtetës, duke u fokusuar jo vetëm tek hulumtimi i saj, por edhe në ngritjen e bashkëpunimit, nxitjen e dialogut ndëretnik dhe institucional si dhe në krijimin e paqes së qëndrueshme në vend, duke nxitur diskutimin dhe reagimin mbi krimet e luftës dhe rolin që komuniteti ka në zbardhjen e së vërtetës, pranimin e saj faktik si një qelës për bashkëpunim ndëretnik e ndërshtetëror në ndërtimin e paqes dhe demokracisë në përgjithësi.
Iniciativat e Shoqërisë Civile në Kosovë në kërkim të zbardhjes së të vërtetës janë dokumentuar dhe shërbejnë së pikënisje edhe e institucioneve shtetërore në zbardhjen e krimeve të luftës dhe intensifikimin e dialogut për ballafaqim me të kaluarën. Këto iniciativa, të filluara së pari nga organizata të vogla me bazë në komunitet, organizata lokale të lindura nga nevoja për të tejkaluar konfliktin dhe nxitur bashkëpunimin, shpeshherë janë përshkallëzuar në iniciativa të larta institucionale, në nivel qeveritar dhe presidencial, duke u marrë si shembull organizimi dhe funksionimi në arritjen e qëllimit të përbashkët – në kërkim të zbardhjes të së vërtetës.
Sipas Raportit “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Pajtim në Kosovë: Një përmbledhje e institucioneve dhe iniciativave” të Grupi Punues Ndërministror për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtim, shumë organizata të shoqërisë civile kanë qenë thellë të përfshira në kërkim të fatit të personave të zhdukur, duke përfshirë: Shoqatën e Familjeve të Personave të Pagjetur, Kryqin e Kuq të Kosovës, Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Fondin për të Drejtën Humanitare. Në vitin 2001, mbi 20 shoqata u bashkuan për të krijuar Këshillin Koordinues të Asociacionit të Familjeve të Personave të Zhdukur në Kosovë. OJQ-të gjithashtu kanë qenë të përfshira në dokumentimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë: Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Fondin për të Drejtën Humanitare, Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Shoqatën humanitare dhe bamirëse “Nënë Tereza” dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Në vitin 2018, presidenti i Kosovës formoi një ekip përgatitor për të përgatitur legjislacionin për krijimin e komisionit të së vërtetës. Mandati i ekipit ka skaduar në fund të tetorit 2020 dhe ekipi ka kërkuar edhe gjashtë muaj shtesë për të përfunduar punën e tij, për shkak të ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia. Por pas dorëheqjes së Presidentit në nëntor të po të njëjtit vit, ngritet një pikëpyetje e madhe se si do të vazhdojë punën dhe cili do të jetë mandati i këtij komisioni në të ardhmen. Ndonëse, ende nuk është e qartë se çfarë synon saktësisht të arrij komisioni. Ajo çfarë mund të merret në konsideratë, sidomos në një periudhë ‘heshtjeje’ institucionale, është aktivizimi i mekanizmave të shoqërisë civile për të vazhduar punën në kërkim të së vërtetës.
Pra, sikurse komisionet e së vërtetës janë veçanërisht të përqendruara në tregimet dhe përjetimet individuale të viktimave. Ato krijojnë një hapësirë që individët të flasin për ato që u kanë ndodhur dhe të shprehin ndjenja që mund të përfshijnë hidhërim dhe zemërim. Në aspektin psikologjik, shumë autorë argumentojnë së tregimi i përjetimeve individuale të luftës në mekanizma zyrtarë është shumë më i rëndë sesa në ata jozyrtarë. Shumë autorë pretendojnë se ekziston rreziku i ri-traumatizimit me anë të të cilit viktimat përjetojnë stres post-traumatik (PTS) pas procesit të tregimit të së vërtetës. Në ketë mes, shoqëria civile mund të ketë rolin e ndërmjetëm në marrjen e informacionit nga viktimat, duke përdorur metoda jozyrtare për të lehtësuar procesin e thënies të së vërtetës, dhe për të përçuar këtë tregim në formatin zyrtar.
“Ky artikull është mundësuar me mbështetjen e YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities and D&G Solutions dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së SHBA-së apo Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)”