Kapitali social i të rinjve në vetëqeverisje lokale
shkruan Besart Peci
BA i shkencave politike dhe politikologRregullimin e çështjeve publike, të lidhura ngushtë me politikën, respektivisht aftësinë e autoriteteve brenda kornizave ligjore, në shoqëritë demokratike e njohim si vetëqeverisje lokale. E drejta menaxhuese u ipet asambleve të përbëra me anëtarë të zgjedhur nëpërmjet votës së drejtpërdrejtë. Në gjuhën e shkencës politike, kjo linjë përkon me parimin e subsidiaritetit, i cili siguron që problemet të adresohen nga institucione dhe grupe të shoqërisë civile që janë më kompetente si dhe më afër shtetasve.
Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Loakle e Këshillit të Evropës përcakton një listë të parimeve thelbësore të qeverisjes lokale, të cilat përfshijnë:
-Ushtrimin e plotë dhe ekskluziv të pushtetit: pacënueshmëri nga nivele të tjera, të parapara në brenda kornizave ligjore.
– Kompensimi i duhur financiar: autoritetet lokale, krahas detyrave dhe përgjegjegjësive, duhet të marrin burime financiare nga niveli qendror për të krijuar autonominë buxhetore, e cila pastaj bën të mundur menaxhimin dhe kontrollin e burimeve të tyre vetjake, të cilat vijnë nga taksat dhe tarifat e ekonomisë lokale.
– Mbikëqyrja administrative e vetëvendosur: asnjë mbikëqyrje administrative e veprimtarisë së autoritetit lokal nga autoritete të tjera nuk mund të ushtrohet jashta kornizave ligjore.
– Mbrojtja ligjore: autoritetet lokale mund t’i drejtohen një mjeti juridik për të siguruar ushtrimin e lirë të kompetencave të tyre dhe respektimin e parimeve të vetëqeverisjes lokale.
Infrastruktura ligjore dhe sistemi i vetëqeverisjes lokale në kuptimin e entiteteve demokratike duhet të përfshijë një qasje më të gjerë të komunitetit për të qenë të suksesshme. Ideja qëndron në qasjen pjesëmarrëse në vendimmarrjet lokale, duke përfshi qytetarë, grupe të interesit, forume rinore, shoqëri civile, studentë dhe akterë të tjerë.
Pjesëmarrja është tipari më i rëndësishëm në qeverisjen lokale. Vota si vullnet politik në përiudha të caktuara është larg së qenuri më e rëndësishme sesa zëri i drejtpërdrejtë i qytetarëve në vendimmarje dhe qeverisje përmes forumeve publike, komiteteve qytetare dhe fushatave të veprimeve vullnetare. Pjesëmarrja duhet të ketë qëllim parësor bashkëpunimin, shoqërimin dhe zhvillimim në një mënyrë që ndërton të ardhme për komunitetin lokal.
Ekzistojnë një sërë mekanizmash që shtyejnë para bashkëpunimet qytetarë-autoritate lokale, por që janë të sforcuara në ndikim, të tilla siç janë dëgjimet buxhetore, dëgjimet publike vjetore, këshillat e lagjeve dhe fshatrave.
Angazhimi i të rinjëve në demokracinë lokale.
Angazhimi i të rinjve sjellë shumë përfitime për frymën e demokracisë lokale, nisur nga përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike e deri te marrja e vendimeve më efikase.
Organizimet formale dhe joformale të të rinjve luajnë rol jetik jo vetëm në forcimin e demokracisë, por edhe në planifikimet afatgjate, duke bërë që autoritetet lokale më patjeter duhet të krijojnë modalitete buxhetore për të investuar në entitete edukuese dhe sportive të të rinjve, të cilat kthehen si resurse potenciale.
Angazhimi dhe pjesëmarrja variojnë nga veprimet e grupeve rinore, duke përfshi organizimin dhe formalizimet e veprimit, deri tek organizatat e sektorit komunitar. Ekzistojnë përkufizime të mëdha për angazhimin e të rinjve në proceset demokratike. Lidhur me këtë, veçojmë tri fusha më kryesore:
– Angazhimi publik
– Angazhimi social
– Angazhimi individual.
Angazhimi publik përfshinë forume rinore, këshille rinore, anëtarë të rinj të asamblesë komunale, kuvende komunale, komitete komunale, të cilat konsolidohen nëpërmjet aktiviteteve të lidhura me entitetet demokratike. Ai është i rendësishëm pasi që adreson shqetësime direkte rreth politikbërjes dhe mbështet forcimin e legjitimitetit demokratik duke demonstruar përgjegjshmëri. Angazhimi publik vlerësohet gjithashtu shumë në reformimin e shërbimeve publike, duke u siguruar që ato të jenë më efikase si dhe a po i plotësojnë më mire nevojat e njerëzve.
Angazhimi social përkufizohet si grup i të rinjëve të cilët bëjnë punë vullnetare, të tilla si krijimi i donacioneve humanitare, ambientalizmi, projekte të veprimit social. Të rinjët nëpërmjet këtyre entiteteve janë të prirur të forcojnë pozitën e zonës ku banojnë, në aspekte të ndryshme, infrastrukturore, ekonomike, politike dhe edukuese. Ata veprojnë nëpërmjet partneritetve, duke krijuar qytetarizëm aktiv të padrejtuar dhe ndikuar nga institucionet dhe autoritetet në mes qytetarëve dhe ndërmarrjeve ekonomike dhe sociale
Angazhimi individual përdoret si një mënyrë për të eksploruar motivimin dhe përfitimet për të rinjtë nga ndikimi i personave kyç në komunitet. Ai është i lidhur me zotësinë për të zhvilluar aftësi të reja, të cilat mund të jetë specifike për angazhimin e mëtejshëm në procesi demokratik, siç është njohja se si të ndikojmë te vendimmarrësit; si të flasin në takime publike, procesin e hulumtimit dhe analizve të institucioneve dhe politikbërësve etj.
Duke qenë të vetëdijshëm për strukturën sociologjike të shoqërisë sonë, familja ende përbën institucionin kryesor për të rinjët së bashku me shkollën, si institucion i angazhimit të drejtpërdrejtë, tri format e cekura më lartë vëjnë në pah potencialin e tyre për të ndërtuar kapitalin social dhe për të fuqizuar bashkësitë komunitare. Politikat dhe shërbimet publike për të rinjtë ngjajnë të jenë më efektive nëse ideoen dhe projektohen në bazë të nevojave të identifikuara nga vetë të rinjtë.
“Ky artikull është mundësuar me financimin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përmes Aktivitetit për Bashkëpunim me Komunitetin (CCA). Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID apo Qeverisë së SHBA-së.”