Kosova një copë tokë ku ka vend për të gjithë, përveç urrejtjes

 

Esmir Kasi

PhD në Shkenca Juridike

 

Ditë pas dite, vit pas viti, kanë kaluar plot 25 vjet nga përfundimi i konflikteve të armatosura në rajonin tonë. Ky nuk është vetëm një numër vitesh, por edhe një numër gjeneratash të reja; gjenerata që nuk ishin dëshmitare të atyre ngjarjeve, por u rritën në një mjedis të mbushur me paragjykime. Sot, këto janë gjenerata që e shohin diversitetin në Kosovë jo si një pasuri, por si një domosdoshmëri për të ndarë të njëjtën hapësirë jetese.

Muri imagjinar i krijuar midis grupeve të ndryshme etnike në Kosovë paraqet një pengesë të madhe për të rinjtë në krijimin e marrëdhënieve të mira me pjesëtarët e komuniteteve të tjera. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, shumica e të rinjve sot besojnë se është normale të jetojnë pranë njëri-tjetrit, por jo me njëri-tjetrin.

Fatkeqësisht, aktivitetet politike kanë kontribuar më tej në krijimin e një hendeku midis të rinjve. Në vend që të ndërtojnë ura dhe të promovojnë pajtimin, ato kanë zgjedhur të krijojnë tensione dhe barriera. 25 vjet janë me të vërtetë një periudhë e gjatë për të arkivuar ngjarjet e së kaluarës dhe për të filluar ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, një të ardhmeje pa urrejtje dhe mure midis të rinjve. Pavarësisht dallimeve që ekzistojnë mes nesh, unë besoj se ka shumë gjëra që na bashkojnë dhe mbi të cilat mund të punojmë së bashku; sepse është detyra jonë të shembim muret që kemi ngritur në mendjet tona për hir të një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë pas nesh.

Të drejtën për një të ardhme më të mirë e meritojnë edhe të rinjtë e Mitrovicës, qytet që shtrihet buzë lumit të mrekullueshëm Ibër, ku kam kaluar ditët më të bukura gjatë studimeve të mia. Ky është gjithashtu qyteti që padrejtësisht është shpallur simbol i ndarjes në shoqërinë tonë, sepse në të vërtetë ai kurrë nuk ka qenë i tillë. Është një qytet me shpirt, ku jetojnë njerëz të mbushur me dashuri, respekt dhe mikpritje nga të dy anët e Ibrit, të cilët janë lodhur nga çdo lloj ndarje. Ata sinqerisht dëshirojnë një bashkëjetesë të qetë dhe harmonike, sepse janë njerëz që besojnë se në Kosovë ka vend për të gjithë, përveç për urrejtjen. Ky është një qytet i rinisë, bukurisë, tolerancës dhe potencialit të madh.

Që kjo anë e bukur e qytetit të dalë në pah, është e nevojshme ndihma e vogël, por e sinqertë, e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Kjo ndihmë duhet të fokusohet në programet që mbështesin angazhimin më të madh dhe promovimin e të rinjve, sepse të rinjtë janë burim i ndryshimeve pozitive. Të rinjtë duhet ta dinë se, pavarësisht sa e vështirë dhe sfiduese është kjo rrugë, nuk ka rrugë tjetër. Vendosja e paqes së qëndrueshme në këtë rajon nuk ka alternativë, dhe krijimi i bashkëpunimit dhe miqësisë midis pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme është një ideal për të cilin duhet të aspirojmë.

Një rëndësi të veçantë ka mbështetja financiare e komunitetit ndërkombëtar për sektorin joqeveritar, përkatësisht aktivizmin qytetar. Nuk mund ta mohojmë faktin se aktivistët e shoqërisë civile kanë dhënë një kontribut të madh në eliminimin e paragjykimeve midis pjesëtarëve të grupeve të ndryshme etnike në Kosovë. E them këtë nga përvoja personale, sepse gjatë viteve të studimeve të mia në Fakultetin Juridik në Mitrovicë, sektori civil ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar bashkëpunim midis studentëve të Universitetit të Mitrovicës dhe atyre të Universitetit të Prishtinës, përmes aktiviteteve arsimore dhe seminareve, në të cilat edhe unë kam marrë pjesë. Bashkëpunimi, respektimi dhe toleranca e ndërsjellë midis studentëve ishin në një nivel shumë të lartë. Pa dyshim, të rinjtë kanë një vullnet të madh për të arritur paqe të qëndrueshme dhe bashkëpunim të ndërsjellë në Kosovë. Për këtë arsye, unë besoj se vazhdimi i aktiviteteve të tilla do të ndihmonte shumë në ndërtimin e urave të reja midis komuniteteve në Kosovë.

Së fundmi, është thelbësore që historitë e suksesshme të të rinjve nga komunitete të ndryshme të promovohen në mediat e Kosovës, sepse mediat kanë një rol kyç në krijimin e një atmosfere pajtimi dhe bashkëjetese në Kosovë.

Mendoj se duhet të vendoset një theks i veçantë në fushën e arsimit dhe aktiviteteve kulturore. Promovimi i kulturës, traditave, zakoneve, veshjeve tradicionale dhe ushqimeve, përmes organizimit të festivaleve ku do të merrnin pjesë të gjithë pjesëtarët e komuniteteve në Kosovë, do të ndihmonte padyshim në zvogëlimin e paragjykimeve, krijimin e bashkëpunimit dhe shoqërimin e të rinjve. Të rinjtë meritojnë një mundësi, dhe nuk kam asnjë dyshim se ata do ta shfrytëzonin më së miri.

 

Ky botim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e botimit është përgjegjësi vetëm e REC – Reconciliation Empowering Communities dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Kosova një copë tokë ku ka vend për të gjithë, përveç urrejtjes

You May Also Like