Rëndësia e konsultimit publik dhe përfshirjes së komunave në përcaktimin e agjendës qeveritare gjatë pandemisë

shkruan Florentina Hajdari Hajra

Kandidate për doktoraturë në Qeverisje dhe administratë publike

Reforma e Administratës Publike (RAP) është një agjendë ndërsektoriale që ndikon në performancën dhe ofrimin e shërbimeve në sektorë të ndryshëm. Për demokracitë e reja, reforma e administratës publike është një mënyrë për të forcuar institucionet shtetërore dhe për të krijuar një shërbim civil solid, i cili është parakusht për vendime dhe shërbime publike cilësore.  Përcjellja dhe zbatimi adekuat i konsultimeve ndërsektoriale dhe ndër-qeveritare me qëllim të rritjes së nivelit të transparencës ndikon direkt në përmirësimin e cilësisë së vendimeve duke sjellë në diskutim ekspertizën e duhur, këndvështrime dhe ide për veprime alternative nga qytetarët që preken drejtpërdrejt nga projektet publike, duke balancuar interesat e kundërta për identifikimin e efekteve të padëshiruara dhe problemeve praktike si dhe duke siguruar një kontroll të cilësisë në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve.

Nevoja për konsultim ndërqeveritar, në planifikimin e projekteve të ndryshme zhvillimore, të cilat ndikojnë jo vetëm në rritjen e efikasitetit të administratës publike, por edhe në ofrimin më të mirë të shërbimeve për qytetarët është vënë në dukje sidomos në këtë periudhë të vështirë globale, ndeshur më Pandeminë Covid – 19. Pushteti lokal/komunal është niveli i parë i ndërveprimit, për shkak që shërbimet e ofruara në baza ditore përcaktojnë arritjen e subsidiaritetit, si parim bazë i zhvillimit në ofrimin e shërbimeve sa më afër komunitetit. Si i tillë, ky pushtet luan rolin kryesor në procesin e adresimit të nevojave të qytetarëve, në kohë reale dhe në ndikim direkt në komunitet. Prandaj, përfshirja e komunave në procesin e konsultimit mbi programet qeveritare për zbatim të projekteve në nivel lokal, është jo vetëm e domosdoshme, por edhe përcaktues mbi efektin e investimit.

Megjithatë, a duhet kushtuar rëndësi konsultimit publik dhe përfshirjes së komunave në përcaktimin e agjendës qeveritare gjatë pandemisë, kur veprimi kërkohet të jetë i shpejtë?

Pothuajse për secilën qeveri (edhe në vendet më të zhvilluara) reagimi ndaj pandemisë Covid-19 është një proces mësimi. Qeveritë e përballura nga kjo pandemi shtyhen në dy drejtime konkurruese. Së pari, qytetarët presin që qeveritë e tyre të veprojnë, dhe të veprojnë shpejt, për të minimizuar dëmin që mund t’u shkaktojë pandemia. Në të kundërt, qeveritë duhet të marrin kohë për t’u siguruar që ajo që bëjnë do të jetë efektive. Padyshim, problemet e shkaktuara nga COVID-19 janë shumëdimensionale dhe kërkojnë angazhime gjithëpërfshirëse dhe komplekse për t’u kapërcyer. Është e padiskutueshme që niveli lokal ka nevojë për mbështetje dhe inkurajim nga qeveria qendrore për një rimëkëmbje të shpejtë, por që ky reagim i shpejtë mund të cenoj gjithashtu parimet përcaktuese të konsultimit publik.

Edhe në kushtet e një situate emergjente, duhet të merren parasysh nevojat dhe kërkesat reale të qytetarëve, shoqërisë civile dhe komunitetit profesional. Duke i paraqitur projekt propozimet qytetarëve dhe komuniteteve profesionale përmes formave të ndryshme elektronike dhe mekanizmave të tjerë alternativë për të siguruar që projektet që do të hartohen, zbatohen dhe zhvillohen në rrethana të jashtëzakonshme janë në interes afatgjatë të qytetarëve. Burokracitë administrative është më lehtë të jenë “viktimë e tejkalimit” në rrethana pandemie, sesa shkelja e një parimi bazë të demokracisë e cila determinon efektin e një intervenimi.

Edhe në nivel shtetëror, Qeveria e Kosovës me Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike përmes të cilit synohet të ndihmohen komunat në rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara nga pandemia COVID-19, ka anashkaluar shumë shpesh procesin e konsultimi publik. Edhe pse qeverisja lokale në Kosovë është ndërtuar mbi parimin e Kartës Evropiane për Qeverisje Lokale, qëndrueshmëria e plotë financiare e komunave ende nuk është arritur. Komunat e Kosovës vazhdojnë të jenë të varura nga niveli qendror. Në shumicën e komunave, mbi 80% e buxhetit vjen nga grantet qeveritare, megjithatë, kjo mbështetje e nivelit qendror ndaj nivelit lokal, edhe në kushte të jashtëzakonshme, duhet të bëhet duke respektuar nevojën e komunave për intervenime specifike. Programi i investimeve komunale me përkrahje nga grantet qeveritare do t’u mundësonte komunave të financojnë projekte të vogla, të zgjedhura me kujdes në zonat e tyre që krijojnë efikasitet jo vetëm të shërbimeve, por dhe të rrisin cilësinë e administratës komunale.

Tensioni ndërmjet krijimit të hapësirës për konsultime ndërqeveritare dhe veprimit me vendosmëri do të mbetet gjithmonë prezent, me ose pa pandemi. Balancimi i këtyre dy stimujve konkurrues është arti i një reagimi efektiv emergjent që vetëm qeveritë mirë të konsoliduara dhe me bazë ekspertize, me teknokratë e menaxherë të zotë të angazhuar rreth saj, mund ta bëjnë.

“Ky artikull është mundësuar me financimin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përmes Aktivitetit për Bashkëpunim me Komunitetin (CCA). Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID apo Qeverisë së SHBA-së.”

Rëndësia e konsultimit publik dhe përfshirjes së komunave në përcaktimin e agjendës qeveritare gjatë pandemisë

You May Also Like