Valutat e ndryshme, por shpirti i njëjtë: një rini që beson se paqja është e mundur
shkruan Urall Boshnjaku
Gazetar
Një gjeneratë e njomë me arsimim të duhur e me prirje moderne po vazhdon të rritet në Ballkanin e sunduar nga politika ndarëse për dekada të tëra. Po kjo rini, po synon që gjithçka që i ndau deri sot ta shndërrojnë në pikë kthese që do mbjellë ndjenja afrimi. Mitrovica, një qytet i vogël i këtij gadishulli, e ndarë edhe fizikisht nga një lum dhe një urë, po tenton ta jap shembullin më të mirë të një fryme bashkëpunimi mes gjeneratave që nuk duan ta kujtojnë luftën e as nuk duan ndarje shoqërore, gjeografike (fizike), emocionale e njerëzore. Kjo gjeneratë, pjesë e së cilës jam edhe unë ka dhënë testin e vet duke dëshmuar se fryma rinore po mëton t’i kthjellojë raportet të cunguara mes dekadash. Unë me kolegët e mi gazetarë nga veriu tashmë kemi dhjetëra trajnime që kemi ndjekur së bashku, duke shqyrtuar projekte të përbashkëta që do i shërbenin komunitetit tonë në aspektin e informimit online.
Konstatimi i lartcekur ilustrohet edhe me dhurimin e një shume të hollash nga ana e një të riu serb rreth 20 vjecar në arkën e vendosur në pikën e pagesave të një marketi në pronësi shqiptare ne Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Arka e cila është vendosur aty për të grumbulluar para për familjen e një shqiptari nevojtar në jug është e mbushur plot me dy valuta, euro dhe dinarë. Edhe pse me gjuhë dhe valuta të ndryshme, të rinjtë e jugut dhe ata të veriut duke e zgjatur dorën e ndihmës për njëri-tjetrin po dëshmojnë se me gjithë tentativat për ndikim e manipulim, shpirti i tyre është i njejtë dhe nuk pranon as ngjyrime politike, as etnike, as racore e as fetare, pasi në fund të ditës të gjithë flejnë nën qiellin e njejtë të një qyteti me nevoja dhe emër të njejtë por me prapashtesë të ndryshme gjeografike.
Ani pse ka tendenca dashakeqe që ndarja të thellohet dhe bashkëpunimi të mos tematizohet, ndërveprimi njerëzor nga të dyja anët po ua pamundëson ithtarëve të ndarjeve një dicka të tillë. Edhe në ditët më të vështira për sigurinë, të rinjtë shqiptarë që po kryenin shërbimin e tyre si policë të Republikës së Kosovës në veri të Kosovës nuk hezituan madje kishin dëshirën e vërtetë për t’u kujdesur për banorët serbë të Banjskës në Zveçan, duke u siguruar edhe pako ushqimore ne ditët kur qarkullimi në zonë ishte i kufizuar për shkaqe sigurie. Por, instikti njerëzor nuk njeh kufizime; ai ishte aty, në mesin e dy komuniteteve që po i shtrinin dorën e ndihmës njëri-tjetrit.
Ndonëse Mitrovica, përfshirë dhe komunat tjera të veriut të Kosovës po kalojnë në një periudhë turbulence sigurie e politike, hapa të mëdhenj drejt bashkëpunimit ndëretnik kanë hedhur kryesisht të rinjtë që merren me aktivizëm shoqëror, kulturë, muzikë dhe gazetari. Të dyja anët e këtij qyteti me një kulturë të pasur gjatë dekadash që i ka shërbyer si shembull tërë Kosovës kanë treguar gjithmonë nivel tëlartë edukimi dhe vetëdije e cila gjithmonë pastaj është në shërbim të krijimit të urave të bashkëpunimit e paqes së qëndrueshme mes komunitetesh këtu. Mitrovicasit e rinj dhe mitrovicaset e reja megjithatë po arrijnë që në një libër të mbushur me tregime konfliktesh të zbardhin faqe të reja bashkëpunimi. Ata po dëshirojnë të tregojnë se nuk hezitojnë fare të bëjnë muzikë rok së bashku, njejtë sic bënin dikur gjeneratat e vjetra të këtij qyteti plot kulturë, duke afruar mes vete secilin që e kupton se paqja është e vetmja rrugë përpara.
Në fund të ditës nuk dallon forma se si gjyshi i Milanit[1] në Mitrovicën Veriore e punon tokën për ta ndihmuar ekonominë e familjes me formën se si gjyshi i Albertit në Mitrovicën e Jugut e ka punuar atë përgjatë vitesh. Madje, nuk dallon as lëvizja e lirë që për momentin ofron pasaporta e Kosovës me atë që ofron pasaporta që Serbia lëshon për nënshtetasit e saj që jetojnë në veri e në jug të Kosovës. Që të dyja pasaportat për momentin kanë të njejtën fuqi sa i përket zonës Schengen. Pra, Anja që punon si gazetare në veri duhet të pajiset me vizë për t’i takuar kolegët e saj në Kroaci njejtë si Majlinda që punon si gazetare në jug të qytetit, për dallim nga kolegët e tyre nga Serbia që tash e shumë vite kanë fituar lehtësime procedurale dhe liberalizim të vizave për lëvizje të lire ne zonën Schengen. Por, Anja ka edhe pasaportën e Kosovës, andaj prej Janarit, ajo bashkë me Majlindën mund të udhëtojnë lirshëm në Kroaci, pa marrë parasysh nëse në xhirollogarinë e tyre deponohet paga që marrin në euro apo dinarë.
Ani pse të rinjtë e qytetit të ndarë fizikisht nga Ibri i pret punë e madhe përpara, të rinjtë e këtij qyteti kanë dëshmuar se janë punëtorë të paepur e me vendosmëri të madhe drejt rrënimit të urave të ndarjes e drejt krijimit të urave të lidhjes. Që të rinjtë të arrijnë të forcojnë qëllimet e tyre drejt një rruge të përbashkët, atyre u duhet fuqizim dhe mbështetje morale, financiare e politike e cila duhet të burojë nga dëshira që e drejta e secilit qytetar të Republikës së Kosovës të ketë peshën e njejtë dhe të respektohet njësoj si në jug ashtu edhe në veri. Rinia meriton më mirë, ajo po punon për më mirë dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë!
[1] Personazhet e apostrofuara në këtë opinion janë imagjinare, por të bazuara në ndodhitë e realitetit në Mitrovicë.
.
“Zhvillimi dhe publikimi i këtij artikulli është përkrahur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) programi ‘EJA Kosovë’, i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e KCSF-së, SDC-së apo Suedisë”